Nis draftimi i ligjit që ndëshkon mohimin e krimeve të luftës në Kosovë

Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka pritur për takim ministrin e Drejtësisë, Abelard Tahiri, me të cilin ka diskutuar në lidhje me përgatitjen e bazës ligjore për ligjin për ndëshkimin e mohimit të krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë.

Hoxhaj tha se mohimi i krimeve të kryera gjatë luftës, është krim i dyfishtë ndaj viktimave, ofendim ndaj familjeve dhe ndaj shtetit, prandaj, në të ardhmen një gjë e tillë nuk do të lejohet.

“Lufta e vitit 98-99 ka sjellë dëme të pariparueshme në Kosovë, në mesin e të cilave shumë viktima civile, për të cilat shteti i Kosovës do të vazhdojë të kërkojë identifikimin dhe dënimin e përgjegjësve”, deklaroi zëvendëskryeministri Hoxhaj.

Zëvendëskryeministri Hoxhaj foli edhe për iniciativën e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i cili sot do t’u dërgojë letra homologëve të tij duke kërkuar që parlamentet në botë të nxjerrin rezoluta zyrtare përmes të cilave e dënojnë rolin e shtetit serb si shkaktar i krimeve të llahtarshme kundër njerëzimit, në Kosovë.

“Një rezolutë e tillë jo vetëm që ndërgjegjëson shoqërinë që krimet çnjerëzore si ato të luftës në Kosovë të mos përsëriten më, por i kontribuojnë edhe pajtimit ndëretnik i cili është i pamundur nëse nuk thuhet e vërteta”, ka përfunduar zëvendëskryeministri Hoxhaj.

Në anën tjetër, ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka folur për punën që po bën Ministria e Drejtësisë në drejtim të përgatitjes sa më të shpejtë të bazës ligjore. Ai tha se ky ligj do ta dënojë mohimin e çdo krimi ndaj çdo viktime civile pa dallim.

“Është një iniciativë shumë e nevojshme e cila do të sigurojë që çdokush që mohon krime të kryera gjatë luftës në Kosovë do të dënohet. Jemi duke i parë modalitetet e krijimit të bazës ligjore dhe jemi në konsulta në këtë drejtim”, ka thënë Tahiri, njofton MD.