Nisin grevat kundër ligjeve të reja në Greqi

Tragetet qëndrojnë në porte, dyqanet të mbyllura, shërbimi urban i paralizuar – Në Greqi ka nisur greva e parë e përgjithshme pas fitores në zgjedhje të Kyriakos Mitsotakis. Greva zhvillohet kundër ligjeve të reja.

Sindikata e Shërbimeve Publike ADEDY dhe sindikata komuniste PAME kanë bërë thirrje për greva në mbarë vendin. Greva drejtohet ndër të tjera kundër planeve të kabinetit të ri konservator që qeveris nën kryeministrin Kyriakos Mitsotakis, për të avancuar privatizimin dhe për të shmangur burokracinë. Ndonëse qeveria e përjashton, sindikatat druhen për shkurtime të vendeve të punës.

Sektori i qarkullimit më i prekuri

Indinjatë ka shkaktuar edhe një ligj i ri, që kufizon të drejtën e grevës. Një grevë do të jetë legale, vetëm nëse atë e miratojnë më shumë se 50 përqind e anëtarëve të sindikatës. Deri tani mjaftonte një vendim i kryesisë së sindikatës.

Nga greva e përgjithshme është prekur më shumë sektori i qarkullimit: të gjitha tragetet kanë qëndruar në porte, pasi punonjësit e tyre janë në grevë. Shërbimi i metrove dhe autobusëve në Athinë u paralizua për disa orë. Po ashtu janë në grevë edhe shkollat shtetërore dhe autoritetet e vendit, njofton televizioni shtetëror  (ERT). Mesditën e së martës (24.09) grevistët donin të demonstronin në Athinë dhe në qytete të tjera të vendit.

Mitsotakis fitoi zgjedhjet parlamentare me partinë e tij Nea Dimokratia më 7 korrik duke zëvendësuar qeverinë e majtë të Syriza-s me kryeministër Aleksis Cipras. / DW