Nisin ndëshkimet për mosmbajtjen e maskës, gjobiten 17 qytetarë

Ka nisur zbatimi i aktit normativ në Shqipëri të miratuar nga qeveria pak ditë më parë për përdorimin e detyrueshëm të maskave në ambientet e mbyllura.

Inspektorati Shtetëror Shëndetësor me grupet e tjera të Task-Forcës anti-COVID, realizoi mbi 1300 kontrolle dhe monitorime për masat ndaj COVID-19 në 24 orët e fundit duke vendosur 20 masa administrative.

ISHSH bë ne dije se janë gjobitur 17 individë për mosmbajtje të maskës në ambiente publike të mbyllura, ndërsa masa administrative me gjobë jaën vendosur në piceri/fast food si një pezullim aktiviteti.

“Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale fton qytetarët të tregohen të kujdesshëm, duke respektuar vendimin për maskën e detyrueshme në ambientet e mbyllura. Bizneset të zbatojnë me korrektësi protokollet e sigurisë në punë: Dezinfektoni ambientet; Kryeni ajrosjen rregullisht; Përdorni maska apo barriera mbrojtëse në çdo subjekt shërbimi për qytetarët.

Qytetarët të jenë të kujdesshëm në zbatimin e masave të vendosura: Mbani distancën; Vendoseni maskën; Ruani higjienën personale dhe kolektive”, bën me dije Ministria e shëndetësisë.

Qeveria vendosi ta bëjë me detyrim mbajtjen e maskës në mjediset e mbyllura dhe ndëshkimin me 2 mijë lekë gjobë për ata që nuk do ta respektojnë këtë vendim.

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu njoftoi të mërkurën se kjo masë do të ndihmojë në kufizimin e përhapjes së COVID-19./en/