Nisin përgatitjet për parakualifikueset drejt Eurobasket 2021

Përfaqësuesja e Kosovës në basketboll të hënën paradite kishte grumbullimin e parë, derisa stërvitjet do të mbahen edhe nga ora 19:00 në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë. 

Përgatitjet do të zhvillohen dy herë në ditë, derisa gjatë fundjavës, Dardanët do të kenë dy ndeshje miqësore në udhëtim me Sllovakinë. 

Stërvitja e parë ka qenë më shumë fizike, derisa me kalimin e ditëve do të shtohet edhe intensiteti.  

I vetmi që mungoi ishte Arian Qallaku, për arsye dëmtimi, kurse Dardan Kapiti, Atik Koshi dhe Meriton Ismailindodhen me Kosovën U-20, në Kampionatin Evropian, Divizioni B, që po zhvillohet në Portugali. 

Kosova ndodhet në grup me Luksemburgun dhe Britaninë e Madhe, ku fituesi i grupit kualifikohet tutje. 

Parakualifikimet për Eurobasket 2021 do të zhvillohen nga 3 deri më 17 gusht.