Nisma akuzon KQZ-në pas vendimit të PZAP-së: Jemi në Kuvend me gjashtë deputetë

Nisma Socialdemokrate ka mbajtur një konferencë për media pas vendimit të PZAP-së lidhur me votat e ardhura nga Serbia, të cilat largohen nga rezultati përfundimtar.

Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj ka thënë se vendimi i PZAP-së, është vendim kontribues për një Kosovë sipas tij më të sigurtë dhe më shumë në respektim të ligjit, shkruan lajmi.net.

Madje, tha se çdo anëtar i PZAP-së duhet të ndihet krenar për vendimin e marrë.

Vendimi i PZAP për të anuluar votat e ardhura nga Serbia është për një Kosovë më të sigurtë dhe më ligjore. Ne sot jemi më të sigurtë dhe na jep motiv për të qenë më të përkushtuar për respektim të ligjit. Kjo ka treguar se ka institucione që janë në zbatim të ligjit. Çdo anëtarë i PZAP duhet të ndihet krenar për vendimin. Sot ata i treguan Kosovës se ka burra e gra me integritet profesional. Ata treguan se nuk ndikohen”, tha ai.

Limaj tutje tha se rezultati final i KQZ-së, i shpallur para disa ditësh, është një rezultat i parregullt.

“PZAP ka dalë si gardian në mbrojtje të integritetit të Kosovës. KQZ ka dalë me një rezultat të parregullt, dhe ai nuk është përfundimtar. KQZ këtu nuk ka shpallë bash kurgjo. Me vota të rregullt, Nisma është subjekt parlamentar, dhe ne do të vazhdojmë fuqishëm në aktivitetin tonë”, tha ai.