Nitaj: Mos i çelni kutitë, shumë do të koriten e ndonjëri do të shkojë në burg

Kandidati i AAK-së për deputet, Muharrem Nitaj është shprehur i zhgënjyer me procesin zgjedhor, duke pohuar se po thonë se shumë nga kandidatët, me çanta me para kanë paguar për të fituar mandatet e tyre.

“Po lexoj se shumë nga kandidatet po kërkojnë të hapen kutitë e të numërohen votat një për një! Mosni se kjo nxjerr telashe të mëdha, sepse shumë njerëz duhet të koriten, ndonjëri edhe të shkojë në burg ndoshta, e kështu të prishet darka e qejfit të zgjedhjeve, he mos kofshin!”, ka thënë ndër të tjera Nitaj.

Postimi i Nitajt në Facebook:

Po thonë se shumë nga kandidatët, me çanta me para, i paskëshin blerë mandatet e tyre. Me vjen keq për ta se janë të mjerë.

Po thonë që edhe shumë të tjerë paskëshin paguar shumë para e nuk i paskëshin fituar mandatet! Për ta më vjen mirë se haram duhet t’i kenë pasur!

Por më së shumti ndiej keqardhje, pse ata që nuk patën para e duhej të ishin zgjedhur, nuk e kaluan pragun! Këtë here nuk ishte koha e tyre!

Po lexoj se shumë nga kandidatet po kërkojnë të hapen kutitë e të numërohen votat një për një!

Mosni se kjo nxjerr telashe të mëdha, sepse shumë njerëz duhet të koriten, ndonjëri edhe të shkojë në burg ndoshta, e kështu të prishet darka e qejfit të zgjedhjeve, he mos kofshin!

Lëreni siç është, se më mirë as që duhej të ishte! / Koha.net