Një muaj paraburgim për të miturin që sulmoi gruan rome në Ferizaj

I mituri me inicialet B.T. që dyshohet se ka sulmuar gjatë ditës së premte gruan e komunitetit rom në Ferizaj, i është caktuara masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji.

Vendimin e ka marrë Gjykata Themelore në Ferizaj, më saktësisht Departamenti për të Mitur duke aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Ferizaj, për caktimin e masës së paraburgimit, ndaj të pandehurit B.T., shtetas i Kosovës “për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale lëndim i lehtë trupor nga neni 185 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për të Mitur, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit të mitur, e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të Kodit Penal të Kosovës.

“I mituri B.T., dyshohet se më 31 maj 2019 në Ferizaj, ka sulmuar të dëmtuarën Z.S., fillimisht duke e goditur nga mbrapa me grusht në kokë e pastaj në mënyrë të paskrupullt e godet me shqelma në fytyrë”, ka bërë të ditur Gjykata Themelore në Ferizaj.

Po ashtu, Gjykata ka njoftuar palët se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtyn ekzekutimin e tij.