Një softuer izraelit spiunimi “u përdor” për të hakuar telefona

Një softuer i kategorisë ushtarake, i njohur si Pegasus, dhe i licencuar nga një kompani izraelite për qeveritë që ndjekin terroristë dhe kriminelë, është përdorur për hakime të suksesshme të 37 telefonave të mençur, që kanë qenë në pronësi të gazetarëve, aktivistëve për të drejta të njeriut, drejtorëve ekzekutivë dhe dy grave të afërta me gazetarin e vrarë saudit, Jamal Khashoggi, është thënë në një hulumtim të kryer nga e përditshmja amerikane The Washington Post dhe 16 media partnere.

Telefonat janë parë në një listë me më shumë se 50.000 numra, që janë të koncentruar në shtetet që dihet se janë të përfshira në vëzhgim të qytetarëve dhe dihet se kanë qenë kliente të kompanisë izraelite NSO, e cila së fundmi konsiderohet lidere botërore në industrinë e softuerëve për spiunim, kanë thënë gazetat.

Në listë nuk identifikohet se kush ka vendosur numrat në të, apo pse, dhe nuk dihet sa telefona janë shënjestruar apo vëzhguar.

Mirëpo analizat forenzike të 37 telefonave kanë treguar për gjurmë të hakimit.

Numrat në listë nuk kanë pasur edhe pronarët e tyre, mirëpo gazetarët kanë arritur të identifikojnë më shumë se 1.000 persona në 50 shtete përmes kërkimeve dhe intervistave në katër kontinente.

Në mesin e tyre, disa anëtarë të familjes mbretërore saudite, të paktën 65 drejtorë biznesesh, 85 aktivistë për të drejta të njeriut, 189 gazetarë dhe mbi 600 zyrtarë qeveritarë.

Gazetarët është thënë se janë nga agjenci dhe media si Agence France-Presse, CNN, New York Times, Al Jazeera, Zëri i Amerikës dhe disa media tjera.

Numrat e disa kryetarëve dhe kryministrave shtetërorë janë parë po ashtu nëpër lista.

Vetë kompania NSO mohon çfarëdo keqbërje.

Ajo ka thënë se softueri është krijuar për përdorim kundër kriminelëve dhe terroristëve dhe është bërë i qasshëm vetëm për ushtrinë, agjenci për zbatim të ligjit, si dhe ato të inteligjencës, nga vendet me gjendje të mirë në fushën e të drejtave të njeriut.

Në deklaratë është thënë se hetimi fillestar që ka çuar në raportime të mediave – i kryer nga organizata joqeveritare me bazë në Paris Forbidden Stories dhe organizata ndërkombëtare për të drejta të njeriut Amnesty International – ka qenë “i mbushur me supozime dhe teori të pavërtetuara”.

Pegasus është thënë se infekton sistemet iPhone dhe Android për t’iu mundësuar operatorëve që të sigurojnë mesazhe, fotografi dhe emaila, të incizojnë bisedat dhe të aktivizojnë fshehurazi mikrofonat.

Më 2019, aplikacioni për mesazhe WhatsApp ka paditur kompaninë NSO, duke supozuar se ajo ka qenë mbrapa disa sulmeve kibernetike në 1,400 telefona mobilë.

Kompania NSO ka mohuar ndonjë keqbërje, mirëpo kompanisë i është ndaluar shfrytëzimi i aplikacionit WhatsApp.

Tags: ,