Një turiste shqiptare mbytet në Kanionin e Gramshit

Kanioni i Holtës në Gramsh të Shqipërisë ka qenë fatal sot për një turiste shqiptare.

25-vjeçarja, shtetase shqiptare me inicialet E.S., ka humbur jetën në kanion, ndërsa trupi i saj u gjet nga forcat e policisë shqiptare në dalje të kanionit, ka raportuar BalkanWeb.

Sipas Policisë së Shqipërisë, në dalje të kanionit, vajza nga Lushnja është gjetur e pajetë si pasojë rrëmbimit nga rryma e fuqishme e ujit.

Ndërsa dy persona tjerë me të cilët ajo ishte e shoqëruar kanë shpëtuar.

Viktima, së bashku me vëllain dhe një kushëri të saj, kishin vizituar kanionin, por gjatë ditës kishin humbur kontaktin dhe u raportuan si të bllokuar në Kanionin e Holtës, që ishin gjetur më pas nga policia.

Kjo kishte ndodhur për shkak të prurjeve të shumta të ujërave nga reshjet e shiut në këtë pjesë.

Mediat shqiptare kanë raportuar se kur moti është më shi, Kanioni i Holtës bëhet i frikshëm dhe banorët e kësaj zone janë të vetëdijshëm për këtë, por jo edhe turistët. Madje, mungojnë edhe tabelat sinjalistike në rrugë që do t’i informonte vizitorët për rrezikun në rast të reshjeve të shiut.