Një udhëheqës i Al Kaidës raportohet se është vrarë në Afganistan

Zyrtarët afganë thanë se një udhëheqës rajonal i organizatës terroriste Al Kaida është vrarë në një operacion të përbashkët të ushtrisë amerikane dhe asaj afgane, muajin e kaluar, në jug të Afganistanit.

Asim Umar, i cili ka udhëhequr Al Kaidën në Nënkontinentin Indian (AQIS), është vrarë më 28 shtator në një kompleks të talibanëve në provincën Helmand, tha Drejtoria Kombëtare për Siguri e Afganistanit.

Sipas saj, Umar ka qenë shtetas i Pakistanit, edhe pse, sipas disa raporteve, ai ka lindur në Indi.

Drejtoria Kombëtare për Siguri tha se në këtë operacion janë vrarë edhe gjashtë anëtarë tjerë të AQIS, shumica prej të cilëve shtetas pakistanezë.

Autoritetet thanë se do të analizojnë raportet se në operacion janë vrarë edhe 40 civilë – në mesin e tyre disa fëmijë.

Shtetet e Bashkuara dhe Al Kaida nuk e konfirmuan vdekjen e Umarit.

Umar ka udhëhequr AQIS-in që nga formimi i tij në shtator të vitit 2014. / REL