Një zyrtar i lartë i strukturave të AAK-së aderon në PDK

PDK-ja e Kadri Veselit është bërë me dy anëtarë të rinj, ku njëri prej tyre, sipas një komunikate për media të PDK-së, deri më tash ka qenë anëtar i strukturave të larta partiake të AAK-së së Ramush Haradinajt.

“Samir Bytyqi, anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të AAK-së në qendër dhe Anëtar i Kryesisë së AAK-së në Suharekë si dhe Besmir Gegaj specialist i Reumatologjisë në Suharekë, i janë bashkuar sot Partisë Demokratike të Kosovës. Samir Bytyqi është Specialist i Oftalmologjisë dhe Asistent në Fakultetin e Mjekësisë, ndërsa Besmir Gegaj është specialist i Reumatologjisë në Suharekë”, thuhet në komunikatën e PDK-së.

Bytyqi dhe Gegaj janë pritur të shtunën nga kryetari i PDK-së, Veseli, që “u ka ofruar bashkëpunim të plotë në rrugëtimin e përbashkët politik në Dekadën e Re”.

PDK-ja ka njoftuar se që nga fillimi i procesit të brendshëm zgjedhor e deri tani i janë bashkuar mijëra mbështetës të rinj të profileve e profesioneve të ndryshme.