Njoftim nga Presidenca pas aktakuzës ndaj Hashim Thaçit

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pas njoftimit të bërë publik nga Zyra e Prokurorit të Specializuar lidhur me inicimin e ngritjes së aktakuzës, ka ndërprerë udhëtimin zyrtar drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku ishte ftuar të merrte pjesë në kudër të procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Sipas Presidencës, lidhur me anulimin e vizitës zyrtare në SHBA, tashmë është njoftuar edhe Shtëpia e Bardhë.

Edhe i dërguari i posaçëm i SHBA-së, Richard Grenell, ka bërë të ditur se Thaçi ka anuluar pjesëmarrjen e tij në Washington në takimin me Serbinë, të planifikuar më 27 qershor.

Grenell përmes një postimi në Twitter ka bërë publik lajmin për anulimin e takimit, ndërsa në një postim tjetër ka njoftuar se megjithatë takimi do të mbahet, me pjesëmarrjen e kryeministrit Avdullah Hoti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

“Presidenti i Kosovës sapo na ka informuar se  ka anuluar udhëtimin e tij në Uashington, D.C pas njoftimit të bërë nga Zyra e Prokurorëve Speciale. Unë e respektoj vendimin e tij për të mos marrë pjesë në diskutime derisa çështjet ligjore të atyre pretendimeve të zgjidhen”, ka shkruar Grenell.