Normalizohet procesi mësimor në Maqedoninë e Veriut

Pas grevës njëditore paralajmëruese shkollat kanë nisur funksionimin normal. Në ditën e dytë të vitit të ri shkollor nxënësit e klasave të para sot janë pranuar nga mësuesit e tyre, ndërsa oraret e mësimit i kanë marrë edhe nxënësit e klasave të tjera.

“Dita e parë e shkollës sot fillojë me pranimin e klasave të para, d.m.th në ora 8.30. Të pranishëm ishin prindërit me fëmijët, ishin të gëzuar shumë. Numri i përgjithshëm i fëmijëve është diku 175 fillestar. Nga këta ka paralele në tre gjuhë, në gjuhën shqipe, gjuhën maqedonase dhe në gjuhën turke.- theksoi Mukadese Daci, pedagoge

Mësimdhënësit dhe përfaqësuesit e Sindikatës së Arsimit Shkencës dhe Kulturës shpresojnë që deri në fund të shtatorit do të gjejnë gjuhë të përbashkët me Ministrinë e Arsimit për rritje shtesë të pagave.

“Sot kemi informata se do të kemi një takim shumë shpejtë me Ministrinë e Arsimit, besojmë se do të zgjidhen të gjitha problemet deri në fund të shtatorit, besojmë se gjithçka do të shkojë në rregull”.- u shpreh Faton Çiçe, arsimtar dhe anëtar i SASHK-ut

Nga ana tjetër ministri i Arsimit, Arbër Ademi, tha se deri në fund të muajit Ministria do të verifikojë nëse të gjithë nxënësit e klasës së parë janë të vaksinuar.

“Në fund të shtatorit do ta kemi numrin e saktë se sa fëmijë nuk janë shkruar në klasën e parë. Ndërkohë ne do të ofrojmë vaksinim në terren. Për shkak se siç e dini, edhe sipas ligjit për arsim fillor gjatë regjistrimit në shkollë fillore duhet të dorëzohet edhe vërtetim për pranimin e vaksinave obliguese”.- tha Arbër Ademi, ministër i Arsimit

Në vitin e ri shkollor 2019/2020, janë regjistruar rreth 20 mijë fëmijë në klasë të parë, ndërsa numri i përgjithshëm i nxënësve në shkollat fillore dhe të mesme është rreth 260 mijë nxënës.