Nuk mund të ballafaqohen me problemin e sigurisë në shkolla, rekomandohet sigurimi fizik

Në mbledhjen e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi në Komunln e Ferizajit, siguria e përgjithshme në territorin e kësaj komune është vlerësuar të jetë e qetë dhe stabile.

Siguria në shkolla ishte tema që shteroi shumë nga diskutimet, me ç’rast u ngritën shqetësime nga të pranishmit, veçanërisht përfaqësuesja e Këshillit të Prindërve, pjesëmarrëse në këtë mbledhje. Ajo, duke bërë një vlerësim të përgjithshëm për funksionimin e mekanizmit që drejton dhe sfidat e sigurisë në shkolla, tha se është domosdo që të vendoset sigurimi fizik në objektet shkollore me qëllim evitimin e rreziqeve dhe përhapjes së dukurive negative në mesin e nxënësve.

Këtë propozim, të dalë edhe nga bisedat paraprake më Drejtorinë e Arsimit, e mbështeti drejtori i Drejtorisë së Arsimit, Afrim Llabjani i cili tha se qeverisja lokale ka gjithë interesimin dhe vullnetin që ta ndërtoj një sistem të mirëfilltë sigurie dhe cilësie në arsimin lokal e që ndër masat kryesore për të arritur këtë objektiv është edhe ky i propozuar sot.

Me miratimin e përgjithshëm të të pranishmëve, mbeti që në afat optimal të inicohet procedura përkitazi me këtë shërbim në të gjitha shkollat e Ferizajt.