Nuk përjashtohen koalicionet e minutës së fundit

Njohësit e rrethanave politike në vend, Shkëlzen Maliqi dhe Imer Mushkolaj, kanë folur për mundësinë e koalicioneve parazgjedhore në minutat e fundit.

Ata kanë thënë për gazetën “Epoka e re” se lidhja e koalicioneve parazgjedhore në minutat e fundit është e mundshme.

Maliqi dhe Mushkolaj kanë vlerësuar se skenari i vitit 2017, ku në ditën e fundit u nënshkruan dy koalicione parazgjedhore, mund ta nxisë sërish çdo lëvizje të partive politike nga blloqet aktuale politike.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka vendosur që afati i fundit për regjistrimin e koalicioneve parazgjedhore do të jetë data 30 gusht.

“Aktualisht duket sikur katër subjektet më të fuqishme preferojnë të garojnë ndaras, secila me shpresën se do të dalë subjekt më i votuar. Por, sherri sërish qëndron te mundësia e lidhjes së koalicioneve në çast të fundit”, ka deklaruar Maliqi.

Edhe analisti tjetër politik Imer Mushkolaj ka bërë me dije se mund të befasohemi me koalicione të reja në çastin e fundit.

“Skena politike në Kosovë zakonisht di të servojë befasi në çastet e fundit. Nuk përjashtohet mundësia e koalicioneve”, ka deklaruar Mushkolaj për “Epokën e re”.

/Epoka e re, link: https://www.epokaere.com/nuk-perjashtohen-koalicionet-e-minutes-se-fundit/