Nuk u trajtua nga QKUK-ja, Vdes 19- Vjeçarja, 8 policë dërgohen në karantinë

Një 19-vjeçare nga Vushtrria ka vdekur këto ditë pasi dyshohet se nuk mori trajtim në Klinikën Infektive të QKUK-së për gjendjen e saj shëndetësore. Kjo për shkak të situatës së krijuar nga koronavirusi në këtë klinikë.

Siç ka mësuar KOHA nga burimet, 19-vjeçarja ishte dërguar në Infektivë për shkak të përkeqësimit të gjendjes së saj shëndetësore, megjithatë, për shkak të situatës së krijuar me COVID-19, në Klinikë nuk e kanë pranuar atë pasi aty po trajtohen vetëm rastet me koronavirus.

Është mësuar po ashtu se Policia e Kosovës është duke e trajtuar rastin si të dyshimtë.

Zyrtarisht nga Policia e Kosovës, KOHA ka mësuar se tetë policë janë dërguar në karantinë, për shkak se ishin në kontakt me familjen e viktimës, pavarësisht se rezultatet e të ndjerës më vonë kishin rezultuar negative me COVID-19.

“Policia po e heton rastin. Tetë policë janë në karantinë shkaku i këtij rasti dhe do të qëndrojnë 14 ditë, ani pse sot pasdite rezultatet e të ndjerës kanë dalë negative”, kanë thënë nga Policia e Kosovës.