OBSH: Shkalla e infeksioneve të reja me COVID-19 po i afrohet një rekordi

Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë tha të premten se një rritje alarmante në rastet me Covid-19 ka shtyrë infeksionet globale drejt nivelit të tyre më të lartë në pandemi.

“Në të gjithë botën, rastet dhe vdekjet po vazhdojnë të rriten me ritme shqetësuese”, ka thënë drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, në një konferencë të fokusuar në Papua Guinea e Re dhe Paqësorin perëndimor.

“Globalisht, numri i rasteve të reja në javë është gati dyfishuar gjatë dy muajve të fundit. Kjo po i afrohet shkallës më të lartë të infeksionit që kemi parë deri më tani gjatë pandemisë”, vazhdoi ai.

“Disa vende që kishin shmangur më parë transmetimin e përhapur tani po shohin rritje të madhe të infeksioneve”, tha Tedros, duke përmendur Papua Guinenë e Re si një shembull.

Tedros tha se agjencia shëndetësore e Kombeve të Bashkuara do të vazhdojë të vlerësojë evolucionin e krizës së coronavirusit dhe “të rregullojë këshillat në përputhje me rrethanat”.

Sipas rregulloreve ndërkombëtare të shëndetit, tha Tedros, komiteti i urgjencës i OBSH-së u mblodh të enjten dhe ai pret të marrë këshillat e tyre të hënën.

“Globalisht, mesazhi ynë për të gjithë njerëzit në të gjitha vendet mbetet i njëjtë. Ne të gjithë kemi një rol për të luajtur në përfundimin e pandemisë”, ka shtuar ai.

Ndryshe, më shumë se 139 milionë raste me Covid-19 janë raportuar në të gjithë botën, me 2.9 milionë vdekje, sipas të dhënave të përpiluara nga Universiteti Johns Hopkins.

OBSH shpalli coronavirusin një pandemi globale më 11 mars 2020. /Telegrafi/