O`Connell: Të rinjtë e Kosovës meritojnë një edukim të mirë që njihet ndërkombëtarisht

Ambasadori Britanik në Kosovë, Ruairi O’Connell, ka reaguar në lidhje me vendimin për mosakreditimin e universiteteve publike të Prizrenit, Pejës e Mitrovicës.

O’Connell, përmes një postimi në profilin e tij në rrjete sociale, është shprehur se të rinjtë e Kosovës meritojnë një edukim të mirë që njihet ndërkombëtarisht dhe se institucionet e pavarura duhet të lejohen të veprojnë në mënyrë të pavarur pa ndërhyrje politike.

“Qeveria britanike dhe Këshilli Britanik i Akreditimit janë përpjekur të ndihmojnë universitetet publike dhe private për të përmbushur kërkesat e cilësisë. Tani kjo çështje është një provë e vërtetë për Kosovën”, ka shkruar O’Connell.

Ky është postimi i plotë i Ambasadorit Britanik, Ruairi O’Connell:

Dy parime janë jetike për të ardhmen e Kosovës. Të rinjtë e Kosovës meritojnë një edukim të mirë që njihet ndërkombëtarisht. Institucionet e pavarura duhet të lejohen të veprojnë në mënyrë të pavarur pa ndërhyrje politike.

Vendimi i Këshillit Shtetëror të Cilësisë për tërheqjen e akreditimit është një vendim i vështirë. Por universitetet duhet të plotësojnë disa kritere, veçanërisht nëse duan që vendet e tjera evropiane të njohin diplomat e tyre. Nëse universitetet kanë dështuar, pavarësisht paralajmërimeve, për të përmbushur kërkesat minimale të cilësisë, është faji i tyre, jo faji i Këshillit.

Qeveria britanike dhe Këshilli Britanik i Akreditimit janë përpjekur të ndihmojnë universitetet publike dhe private për të përmbushur kërkesat e cilësisë. Tani kjo çështje është një provë e vërtetë për Kosovën. Rezultati do të tregojë nëse sistemi arsimor i Kosovës është ndërtuar për t’u shërbyer qytetarëve të saj dhe interesit kombëtar, ose për t’i shërbyer një grupi të ngushtë njerëzish dhe interesash private.