OJQ-të ia kujtojnë premtimet elektorale Haskukës, kërkojnë shkarkimin e 3 drejtorëve me aktakuza

Organizatat joqeveritare në Prizren kanë kërkuar nga Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, që të shkarkojë 3 drejtorë komunal ndaj të cilëve Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Organizatat në fjalë kanë kërkuar nga Haskuka që të angazhohet për ruajtjen e integritetit institucional të Komunës së Prizrenit duke marrë parasysh mungesën e vullnetit individual të tre drejtorëve komunalë për të dhënë dorëheqje pas ngritjes së aktakuzave nga Prokuroria Themelore në Prizren. Ato kanë kërkuar që Kryetari i Komunës së Prizrenit të ndërmarrë veprime konkrete duke shkarkuar vartësit e tij ose duke kërkuar dorëheqjet e tyre.

Organizatat joqeveritare të cilat veprojnë në Prizren, i kanë kujtuar Haskukës se premtimet elektorale të tij ishin për vendosjen e standardeve për rastet e tilla dhe ruajtjen e kredibilitetit institucional. Pasi që në rastin e drejtorit të drejtorisë për ekonomi dhe financa është zbatuar praktika e dorëheqjes, ata kanë kërkuar që edhe në këtë rast tre drejtorët komunalë të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare të dorëhiqen ose të shkarkohen nga postet e tyre deri në vendimin e Gjykatës.

Këto organizata vlerësojnë se ndërmarrja e veprimeve konkrete për dorëheqje ose shkarkim të udhëheqësve të drejtorive komunale në rastet e ngritjes së aktakuzave, do të tregonte vullnetin e sinqertë në përmbushjen e premtimeve për rritjen e standardeve dhe ndryshimin e praktikave për të siguruar institucione me kredibilitet. Në të kundërtën, vazhdimi i punës në ushtrimin e funksioneve të larta publike të zyrtarëve që kanë të ngritura aktakuza për keqpërdorim të detyrës zyrtarë, do të ulë besimin e qytetarëve në institucionet lokale dhe do të shërbejë si një praktikë jo e mirë në arsyetimin e veprimeve pranë organeve të drejtësisë.

Organizatat nënshkruese të kërkesës për shkarkimin e 3 drejtorëve me aktakuza në Komunën e Prizrenit janë:
EC Ma Ndryshe
Fondacioni për Trashëgimi Kulturore – Legatum
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI)
IPSIA
THY
X40