Olga Tokarczuk dhe Peter Handke fitojnë Nobel për Letërsi

Akademia suedeze e Shkencave shpërbleu me Çmimin Nobel për Letrësi autoren polake, Olga Tokarczuk, dhe autorin austriak, Peter Handke.

Çmimi për Tokarczukun i takon vitit 2018, ndërsa për Handken këtij viti.

Akademia suedeze ndau sivjet dy çmime në letërsi, pasi vitin e kaluar është anuluar për shkak të një skandali seksual.

Tokarczuk, 57 vjeçe, e konsideruar si romancierja kryesore polake e brezit të saj, u shpërblye “për një imagjinatë narrative, që me pasion enciklopedik paraqet kalimin e kufijve si një formë e jetës”, tha Akademia.

Handke, ndërkaq, 76-vjeç, u shpërblye “për punën me ndikim” në “eksplorimin e specifikës së përvojës njerëzore”, thuhet në deklaratën e Akademisë.

Këtë javë, u ndanë edhe Nobelët për Mjekësinë, Fizikën dhe Kiminë, ndërsa të premten do të ndahet Nobeli për Paqe. /REL/