Opozita bashkohet rreth PSD-së për protestën e së shtunës kundër rritjes së çmimit të rrymës

Partia Socialdemokrate (PSD) ditë më parë ka paralajmëruar se do të mbajë protestë të shtunën e 29 janarit kundër rritjes së çmimit të energjisë elektrike.

Tashmë edhe zyrtarisht të gjitha partitë opozitare, PDK, LDK e AAK e kanë përkrahur këtë iniciativë. Këtë gatishmëri të partive opozitare parlamentar për mbështetjen e kësaj proteste e ka konfirmuar për Demokracia.com, zëdhënësja e PSD-së, Natyra Kuçi.

Ajo ka thënë se kryetari i partisë, Dardan Molliqaj ka zhvilluar takim me kryetarin e LDK-së, Lumir Abixhiku. Ndërkohë ka konfirmuar se kanë pasur takim edhe me nënkryetaren e PDK-së, Vlora Çitaku. Prandaj sipas saj, LDK e PDK kanë përkrahur të gjitha pikat me të cilat do të protestohet të shtunën.

Ndërsa AAK-ja përveç përkrahjes deklarative, pritet të jetë edhe pjesëmarrëse në protestë.

Kuçi ka bërë të ditur se protesta do të jetë paqësore dhe se i kanë ftuar të gjitha partitë opozitare që t’ju bashkohen me takime dhe telefonata.

Si fillim protesta do të jetë paqësore, e dyta kemi ftuar të gjitha partitë opozitare që të na bashkohen me takime dhe telefonata. LDK, saktësisht kryetari Lumir Abdixhiku, është takuar me kryetarin e PSD-së, Dardan Molliqaj dhe janë pajtuar për të gjitha kërkesat që vijnë nga protesta, mirëpo për arsye të ndryshme organizative dhe të tjera LDK-ja nuk do të mund të marrë pjesë në protestë”, ka konfirmuar ajo.

Kuçi ka shtuar se ata kanë marrë edhe mbështetjen e AAK-së. “Këtë po e them së pari për ju se AAK-ja ka thënë se do ta mbështes protestën. E  kemi takuar edhe nënkryetaren e PDK-së, Vlora Çitaku e cila poashtu është pajtuar me të gjitha kërkesat që rrjedhin nga kjo protestë, mirëpo ka mbetur që të na kthejë përgjigje këto ditë. Por fryma, atmosfera, takimet të gjitha kanë qenë në mbështetje kundër shtrenjtimin të tarifave të energjisë elektrike”, theksoi zëdhënësja e PSD-së.

Kuçi është shprehur se ky do të jetë kundërshtimi më i madh që do ti bëhet një qeverie. “Ne e dimë që ky kundërshtim që po vjen edhe prej partive opozitare asnjëherë s’ka qenë një kundërshtim më i madh, më i organizuar, më i përbashkët. Ky reagim vjen, sepse qeveria gjithçka që bën, e bën në favor të korporatave, gjithçka që bën, e bën në favor të bizneseve, mirëpo kjo po shkon në kurriz të qytetarëve të vendit”, tha në fund ajo. /Demokracia.com/