Opozita kërkon llogaridhënie për shfrytëzuesit e pronave publike në Lipjan

Subjekti më i madh opozitar, Partia Demokratike e Kosovës, dega në Lipjan, ka akuzuar Ekzekutivin e Komunës për mungesë të transparencës me arsyetim se prej kohësh nuk po u përgjigjej pyetjeve të kuvendarëve dhe as qasjes në dokumente zyrtare lidhur me bizneset e kafeneve, të cilat po i shfrytëzojnë hapësirat publike.

Sipas opozitës, në disa pjesë të qytetit tarracat e bizneseve po e pengojnë lëvizjen e qytetarëve, ndërkohë Komuna nuk ka raportuar për të hyrat buxhetore nga këto hapësira. Ramiz Qeriqi, këshilltar në KK të Lipjanit nga radhët e PDK-së, dyshon se disa biznese nuk po i paguajnë taksat për shfrytëzimin e hapësirave publike, andaj Ekzekutivi duhet dhënë llogari para qytetarëve, shkruan sot Koha Ditore.

Sipas tij, rreth kësaj çështjeje disa herë ka kërkuar llogaridhënie edhe në mbledhjet e KK-së, mirëpo nuk ka marrë përgjigje. Po ashtu, rreth kësaj çështjeje PDK-ja ka kërkuar edhe qasje në dokumente zyrtare, mirëpo deri tashti nuk ka marrë ndonjë përgjigje.