Opozita proteston në Tiranë për largimin e Ramës, paralajmërohet protestë tjetër

Opozita e bashkuar në Shqipëri ka mbajtur sot në orët e pasdites protestën e gjashtë me radhë në Tiranë në kuadër të protestave “Rama ik” kundër Qeverisë së udhëhequr nga kryeministri Edi Rama.

Përmes kësaj proteste, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka refuzuar kërkesën e Ramës për dialog duke përsëritur se kushti i opozitës është largimi i kryeministrit Rama dhe krijimi i qeverisë tranzitore. Nga ana tjetër, në një letër dërguar Bashës, Rama ka refuzuar kushtin e opozitës për të dhënë dorëheqje nga posti i kryeministrit.

Sipas BalkanWeb, protesta në përgjithësi ka qenë e qetë, ndonëse protestuesit kishin nisur të hidhnin gurë drejt ndërtesës së Kuvendit dhe është hequr gardhi metalik, ndërsa policia është përgjigjur me ujë.

Në përmbyllje të protestës, Basha ka thënë se opozita është e gatshme të sakrifikojë gjithçka, siç ka thënë ai, për votën e lirë.

“Mesazhi i sotëm është i qartë dhe i prerë ndaj miqve dhe aleatëve tanë dhe ndaj kundërshtarëve dhe armiqve të demokracisë se ne jemi gati të sakrifikojmë gjithçka për votën e lirë. Nuk do ta lejojmë kurrë despotizmin antievropian, të cilët kanë kapur drejtësinë dhe kanë bllokuar rrugëtimin tonë drejt Evropës. Sot japim këtë mesazh të qartë dhe të vendosur. Këtë betejë e nisëm për Shqipërinë si gjithë Evropa dhe tani është koha për zgjidhjen politike, largimin e Edi Ramës, qeveri tranzitore dhe zgjedhje të lira dhe të ndershme”, ka deklaruar udhëheqësi i PD-së, Basha.

Ndërkaq, opozita ka vendosur që protesta e ardhshme të mbahet më 31 maj kur edhe pritet të fillojë fushata zgjedhore për zgjedhjet e 30 qershorit.