OSBE dhe BE do t’i vëzhgojnë zgjedhjet e parakohshme

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e ka mbajtur mbledhjen e 30-të, me ç’rast është diskutuar dhe janë votuar dy pika të rëndit të ditës.

Të dyja pikat e votuara kanë të bëjnë me mbarëvajtjen e procesit zgjedhor që pritet të zhvillohet me 6 tetor të këtij viti.

“Rendi i ditës është që të shtohet edhe një pikë – shqyrtimi dhe miratimi i marrëveshjes me misionin vëzhgues të BE-së. Pritet që nesër të nënshkruhet marrëveshja me misionin e BE-së për vëzhgim”, ka thënë Valdete Daka.

“Ne kemi kontaktuar edhe me misionin e OSBE-së ku kemi kërkuar që të na japin përkrahjen e duhur dhe këshill-dhënie në ditën e zgjedhjeve në të njëjtin format sikur në zgjedhjet e kaluara”.

“Konstatoj se me shtatë vota është aprovuar që OSBE-ja ta ketë të njëjtin rol sikurse në zgjedhjet e kaluara”.

“Presidenti Hashim Thaçi ka kërkuar nga Bashkimi Europian që të kemi mision vëzhgues për zgjedhje sikur që ka ndodhur në zgjedhjet e kaluara. Ndërsa ata kanë pranuar me kënaqësi që ta ofrojnë një mision vëzhgues”.

Gjatë këtij takimi gjithashtu është bërë e ditur se në ditën e zgjedhjeve do të jenë të hapura gjithsej 895 qendra votimi. / RTK