Osmani pyet Hotin, me çfarë baze ligjore lejoi mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë, ai nuk përgjigjet

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani në seancën e Kuvendit ka pyetur kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hotin se me çfarë baze ligjore ka lejuar organizimin e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë.

Osmani tha se në vitin 2012, Kuvendi ka miratuar Rezolutë kundër mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë, pasi është shkelje e Kushtetutës, është shkelje e Ligjeve të Kosovës dhe është shkelje e praktikave dhe marrëveshjeve ndërkombëtare.

Sipas Osmanit, në atë kohë, ajo rezolutë u votua nga 76 deputetë, pra ka marrë vota edhe nga pozita edhe opozita e atëhershme.

“Fatkeqësisht, pavarësisht kësaj, janë mbajt zgjedhjet e Serbisë në Kosovë, por kjo nuk i bën as të ligjshme, e as në përputhje me Kushtetutën e as marrëveshjet ndërkombëtare. Nëse përmendet OSBE-ja si organizatë ndërkombëtare, e merr përsipër një organizim të tillë, ju e dini që me Kushtetutën tonë, delegimi i detyrave sovrane për një organizatë ndërkombëtare bëhet vetëm me ratifikim në Kuvendin e Kosovës. Ka pas raste kur në të kaluarën është deleguar ndonjë kompetencë e institucioneve të Kosovës te organizatat ndërkombëtare, por kurrë pa i marrë 80 vota në Kuvend. Pyetja ime për Qeverinë është: cila është baza ligjore, cila është baza kushtetuese dhe cila konvente ndërkombëtare e lejon mbajtjen e këtyre zgjedhjeve në Kosovë?”, pyeti Osmani.

Për këtë pyetje kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti nuk pranoi të përgjigjej, duke thënë shkurt se e ka dhënë përgjigjen e tij më herët në fjalën e tij.

Ndërsa në foltore tha se e mori fjalën për të uruar Ditën e komunitetit egjiptas, për deputetët e Kuvendit të Kosovës që i takojnë këtij komuniteti. /Telegrafi/