Osmani: Qeveria e re duhet të përbëhet nga opozita e deridjeshme

Vjosa Osmani, kandidate për kryeministre nga Lidhja Demokratike e Kosovës në zgjedhjet e mbajtura më 6 tetor në Kosovë, ka thënë përmes një postimi në rrjetin social, Facebook se qeveria e re duhet të përbëhet nga opozita e legjislaturës së kaluar.

Teksa ka falënderuar të gjithë përkrahësit e saj, Osmani ka thënë se për të nuk ka alternativë tjetër përveç koalicionit në mes të partisë që ajo i takon dhe Lëvizjes Vetëvendosje, e cila doli e para në zgjedhjet e së dielës.

“Koalicioni LDK-VV ka shumë sfida para vetes, por duhet ta ketë vetëm një interes: atë të qytetarëve të Kosovës”, ka thënë ndër të tjera ajo.

Një ditë më parë edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka paralajmëruar se këto ditë do të takohet me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për të diskutuar mundësitë e bashkëqeverisjes.

“Do të vazhdojmë aty ku e kemi lënë para fillimit të procesit zgjedhor, duke respektuar vullnetin e qytetarëve të shprehur me votë të lirë në një proces demokratik zgjedhor, por edhe interesin e LDK-së”, ka thënë Mustafa. / REL