Pacientëve me kancer po iu ofrohen të gjitha shërbimet në QKUK

Ndonëse COVID-19 e ka rënduar funksionimin e sistemit të shëndetësisë në Kosovë, Klinika e Onkologjisë që funksionon në kuadër të Qendrës Klinike Universitare, ka deklaruar se po vazhdon me ofrimin e shërbimeve për pacientët me kancerë.

Edhe pse Kosova po përballet me numër të madh të të infektuarve ditëve të fundit, në këtë klinikë janë dhënë mbi 75 mijë shërbime të ndryshme mjekësore për pacientët, ka deklaruar drejtori i kësaj klinike, onkologu Ilir Kurtishi, për agjencinë e lajmeve Kosova Press, transmeton Insajderi.

Edhepse shërbimet janë ofruar në baza të rregullta, Kurtishi ka thënë se si klinikë, janë përballë me mungesë të disa tabletave, megjithatë, me kalimin e kohës klinika është furnizuar me këto ilaçe.

“Si Klinikë e Onkologjisë në rajon kemi bërë trajtimin shumë profesional dhe adekuat me të gjitha mjetet dhe pajisjet që ne i disponojmë. Në aspektin e ilaçeve kimioterapisë duke filluar prej atyre që kushtojnë disa qindra euro e deri tek mijëra euro pacientët i kanë marrë në skema të rregullta dhe kanë qenë të mbuluar gati të gjithë pacientët që kanë nevojë kur themi gati i bie gati 98 përqind, ndërkaq për rrezatim edhe pacientë me rrezatim herë pas here ndonjë vonesë të vogël por prapë se prapë gati 60 deri 80 pacientë kanë bërë rrezatim ditor”, ka theksuar Kurtishi.

Sipas tij, në këtë klinikë po kujdesen maksimalisht që t’i respektojnë rregullat dhe udhëzimet e Institutit të Kosovës për Shëndetësi Publike, duke bartur maska e doreza gjatë tërë kohës – këtu përfshirë edhe pacientët, e jo vetëm stafin. /Insajderi/

Tags: