Pacolli: E kemi ndalur komunikimin me UNMIK-un

Ministri i Punëve të Jashtme Kosovës, Behgjet Pacolli, ka bërë të ditur se institucionet e Kosovës nuk janë duke komunikuar me misionin e UNMIK-ut.

Sipas tij, komunikimi me këtë mision të OKB-së është ndalur.

Ky reagim i Pacollit vjen pas raportimit të shefit të UNMIK-ut, Zahir Tanin, në Këshillin e Sigurimit të OKB-së që akuzoi Policinë e Kosovës dhe institucionet tjera të vendit për arrestimin e dy zyrtarëve të UNMIK-ut, njëri rus e tjetri serb, në Zubin Potok, gjatë aksionit të policisë në veri të vendit.

Deklarimet e Tanin në OKB, Pacolli i ka quajtur të papranueshme.

“Një zyrtar pengon policinë dhe një tjetër është kapur duke vjedhur. UNMIK duhet të merret me veten dhe jo me Kosovën. Ne e kemi ndalur komunikimin me UNMIK-un dhe për sa kohë që nuk e sqarojnë situatën në nuk do t’i konsiderojmë miqësore ndaj Kosovës. Imazhi i UNMIK-ut është për keqardhje sot”, thuhet në reagimin e ministrit Pacolli.

Sipas Pacollit, stafi i UNMIK-ut ka shkelur ligjin ndërkombëtar dhe Kartën e OKB-së në ditën kur zhvillohej aksioni policor në Kosovë, ndërsa ka porositur UNMIK-un të respektojë sundimin e ligjit në Kosovë.

“Momentin kur një mision ndërkombëtar përdoret për të krijuar pengesa në sundimin e ligjit dhe rendit dhe ndaj shtetit të Kosovës ata do të marrin gjithmonë përgjigjen e njëjtë. Kosova nuk ndjen keqardhje, ne kemi vepruar si shtet dhe si i tillë do të bëjmë gjithë kohën. Stafi i UNMIK-ut po shkel ligjin ndërkombëtar dhe Kartën e Kombeve të Bashkuara”, ka shtuar kryediplomati kosovar.