Pacolli i reagon Brnabiqit, ia ndalon hyrjen në Kosovë

Shefi i diplomacisë kosovare, Behgjet Pacolli, ka reaguar ndaj deklaratave të fundit të kryeministres serbe, Ana Brnabiq, për Kosovën, të cilat i ka quajtur racizëm.

Brnabiq, pas takimit me shefin e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Serbi, Sem Fabrizi, i kishte quajtur shqiptarët “njerëz që vijnë nga mali”.

“I pështirë dhe krejtësisht të papranueshme komentet e Kryeministres serbe Ana Brnanic. Ky racizëm i institucionalizuar në Serbi, që ka brumin në ideologjinë ultranacionaliste të sëmurë që promovon Qeveria e Ana Brnabicit. Shpresoj që Evropa sot të kuptojë se me çfarë lloj njerëzish kemi të bëjmë, me ata që kanë mbështetur vrasjet masive dhe mohojnë krimet e luftës të kryera nga Beogradi në ish-Jugosllavi”, ka shkruar ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës në Facebook.  

Pacolli, i cili është edhe zv/kryeministër i parë në Qeverinë e Kosovës, ka bërë të ditur se nuk do t’ia lejojë hyrjen në Kosovë kryeministres Brnabiq. “E them me përgjegjësi që sa të jem unë ministër i jashtëm i Republikës së Kosovës, nuk do të lejojë që Kryeministrja serbe të hyjë në Kosovë, për sa kohë që ajo të ndjek një ideologji raciste dhe të sëmurë kundër popullit të Kosovës dhe ndërmjet etnive që jetojnë këtu”, thuhet në reagimin e Pacollit.