Pacolli i shpreh ngushëllime popullit amerikan për viktimat në Teksas

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, i ka shprehur ngushëllime popullit amerikan për viktimat e të shtënave të sotme në një qendër tregtare në El Paso, në Teksas të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Raportet nga El Paso janë shkatërruese. Mendimet tona janë me viktimat dhe familjet e tyre. Ngushëllimet tona më të sinqerta për ta. Për të lënduarit dëshirojmë shërim të shpejtë”, ka shkruar Pacolli në një postim në profilin e tij në rrjete sociale.

Mediat amerikane kanë njoftuar se një 21 vjeçar ka gjuajtur me armë zjarri në një qendër tregtare në qytetin El Paso, në shtetin e Teksasit në SHBA, duke lënë të vdekur 18 persona dhe plagosur shumë të tjerë.