Pacolli kërkon që Serbia të mos abuzojë politikisht me operacionin e Policisë

Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli në rrjetin social FB ka bërë të ditur se Policia e Kosovës po kryen një operacion në veri të Kosovës për të arrestuar qytetarë të Kosovës, duke përfshirë Policë të cilët janë pjesë e një rrjeti të përfshirë në kontrabandë, ryshfet, keqpërdorimin e pozitës zyrtare dhe aktivitete të tjera të krimit të organizuar.

Ky operacion, sipas tij, ka qenë i përgatitur qe disa muaj dhe është pjesë e përpjekjeve më të mëdha që Kosova po ndërmerr për të forcuar rendin dhe sundimin e ligjit në të gjithë vendin.

“Kosova dëshiron të tregojë vullnetin e saj për të luftuar krimin e organizuar, korrupsionin dhe keqpërdorimin e pozitës zyrtare dhe ne i bëjmë thirrje të gjithëve për të mbështetur veprime të tilla.
Unë i bëj thirrje Serbisë të mos abuzojë politikisht me një operacion të thjeshtë të policisë. Iu bëj thirrje atyre të mbështesin luftën kundër krimit të organizuar dhe të mos kundërshtojnë atë. Ajo që ka rëndësi është mirëqenia e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë dhe qeveria e Kosovës garanton që kjo është me interes të lartë.
Unë i dënoj thirrjet e qeverisë serbe që madje e kanë thirur ushtrinë të jetë e gatshme për shkak të një operacioni të thjeshtë policor kundër rrjeteve të krimit të organizuar”, ka shkruar Pacolli në postimin e tij në FB.