Pacolli: Kosova është mirënjohëse për kontributin e Turqisë

Agjencia Turke për Zhvillim dhe Koordinim (TIKA) ka shtruar iftar në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, raporton Anadolu Agency (AA).

Në sofrën e iftarit të pranishëm ishin udhëheqës të lartë të institucioneve të Kosovës, udhëheqës të partive politike, deputetë, përfaqësues të organizatave qeveritare e joqeveritare, përfaqësues ndërkombëtarë, si dhe qytetarë të shumtë.

I pranishëm ishte edhe zv/kryeministri i Kosovës, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, i cili lavdëroi punën e TIKA-s në Kosovë dhe tha se që nga viti 2004 ka realizuar rreth 700 projekte në arsim, shëndetësi, kulturë, bujqësi, blegtori e fusha tjera.

“Republika e Kosovës është mirënjohëse për kontributin e Republikës së Turqisë për stabilitetin, zhvillimin dhe promovimin e Kosovës në rrafshin ndërkombëtar, si dhe për ndihmën e deritanishme që lehtëson rrugëtimin e vendit tonë në integrimet euroatlantike”, tha Pacolli.

Ambasadori i Turqisë në Kosovë, Çağri Sakar, në fjalën e tij para të pranishmëve përmendi disa prej projekteve të realizuara nga TIKA viteve të fundit në Kosovë dhe theksoi se ajo do të vazhdojë me projekte të mëdha edhe në të ardhmen.

“TIKA jonë me veprat e shumta të saja që prekin jetën e kosovarëve, duke përcjellë njohuritë dhe përvojën e Turqisë në të gjitha fushat e jetës, nga lindja e një foshnje deri te një i sëmur që pret vdekjen, do të vazhdojë të qëndrojë pranë Kosovës në periudhën e ardhshme, ashtu siç ishte edhe në të kaluarën. Dëshirojmë që me secilën nga veprat dhe projektet tona, që janë të bërë nga dashuria, respekti dhe djersa e njeriut turk, të kontribuojnë në të ardhmen e Kosovës, të cilës ia kemi zgjatur dorën miqësore dhe vëllazërore”, tha Sakar.

Ai shfrytëzoi rastin edhe për t’i falënderuar dhe vlerësuar hapat e institucioneve të Kosovës për të luftuar organizatën terroriste FETO, çështje për të cilën bëri thirrje që të “merren masat e nevojshme kundër tyre, meqë gjenden ende në Kosovë”.

Iftari u hap me lexim të Kur’an-it, ndërsa lutjen pas iftarit i bëri kreu i Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), myftiu Naim Tërnava. /Anadolu Agency/