Pacolli kundërshton Vuçiqin: Kosova ofron mbrojtjen më të madhe të mundshme për objektet fetare

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli, ka kundërshtuar deklaratat e presidentit të Serbisë, Alleksandar Vuçiq, i cili tha se shpreson që Kosova të mos ndjekë shembullin e Malit të Zi në lidhje me Ligjin për lirinë fetare.

Vuçiq ka thënë se “shpresoj të mos ndjekin këtë shembull dhe që nuk do të përpiqen të na bindin që Deçani, Graçanica, Virgjëresha Levhiska, Zoçishta apo cilado nga vendet tona të shenjta i përkasin trashëgimisë kulturore shqiptare”.

Vuçiqi tha më tej se ata (shqiptarët, shën. red.) do të tentojnë të thonë se ato i përkasin trashëgimisë kulturore shqiptare, për çka, siç tha ai, “kanë fituar edhe mbështetjen e një pjese të bashkësisë ndërkombëtare”, transmeton Koha.net.

“Por, të gjithë këto truqe… besoj se do të kemi forcën që në mënyrë racionale e të zgjuar dhe me mjete paqësore, në rrugë diplomatike, të luftojmë e të mbrojmë shenjtoret tona”, ka thënë ai.

Në përgjigjen e tij, Pacolli ka thënë se Kosova ofron mbrojtjen më të madhe të mundshme për objektet fetare.

“E shprehi kundërshtimin e fuqishëm ndaj deklaratave të Presidentit serb Vuçiç dhe politikanëve të tjerë serbë mbi Kishat dhe Manastiret Ortodokse Serbe në Kosovës. Kosova ofron mbrojtjen më të madhe të mundshme për objektet fetare, diçka që Kisha Ortodokse Serbe as nuk e ka në Serbi”, ka shkruar Pacolli në Facebook.

Ai tutje ka kërkuar nga Serbia të ndalë nxitjen e tensioneve. Sipas tij, Beogradi po synon të manipulojë serbët e Kosovës. Pacolli ka thënë se Ligji për liritë fetare në Kosovë ka marrë miratimin e Komisionit të Venecias dhe është në përputhje me standardet evropiane.

“Unë dua ta bëj të qartë Beogradit qe të ndal nxitjen e tensioneve në Kosovë, dhe vendet e tjera të rajonit. Këto deklarata sot tregojnë një shenjë të qartë qe Beogradi dëshiron të nxisë tensione në Kosovë para Krishtlindjes Ortodokse për të manipuluar serbët e Kosovës. Ligji për liritë fetare në Kosovë ka marrë miratimin e Komisionit të Venecias dhe është në përputhje me standardet evropiane, ai tani do të miratohet nga Kuvendi i Kosovës”, ka shtuar ai.

“Lërini njerëzit të kenë festa normale dhe të qeta. Asnjë politikë në fe nuk është e nevojshme e aspak nga Beogradi që njihet për tendenca për manipulime me qytetaret serbë të Kosovës”, ka përfunduar Pacolli.