Ministri në largim i Punëve të Jashtme në Qeverinë e Kosovës, Behgjet Pacolli, ka reaguar pas njoftimit të ministrit serb të Mbrojtjes, Alleksandar Vullin për kthimin e statusit të Brigadës 63 Parashutiste dhe 72 të Forcave Speciale në ushtrinë e Serbisë.
Ai ka thënë se të dyja këto brigada kanë kryer krime të tmerrshme në Kosovë dhe Bosnje.
“Brigada 63 Parashutiste është përgjegjëse për vrasjen e më shumë se 25 shqiptarëve në Gjakovë. Kjo është vazhdimësi e politikës mohuese të Serbisë që është përballur vetëm me heshtjen e komunitetit ndërkombëtar. Tribunali për Krime të Luftës në ish-Jugosllavi ka dështuar sa u përket krimeve të luftës të kryera nga Serbia në Kosovë. Njëjtë kanë dështuar edhe misionet e UNMIK-ut dhe të EULEX-it”, ka thënë Pacolli në disa postime në rrjetin social, Twitter, transmeton REL