Pacolli takohet me Lajçák, disktohen çështjet bilaterale dhe ato të rajonit

Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, ka pritur në rezidencën e tij Miroslav Lajçák, Ministrin e Punëve të Jashtme të Sllovakisë, çështjeve Evropiane dhe Kryesuesin e radhës të OSBE-së.

Në takim u diskutua për çështjet me rëndësi të dy vendeve dhe të gjithë rajonit. Me rastin e kryesimit të OSBE-së nga Sllovakia, ministri Pacolli, ka potencuar se OSBE është një partner i rëndësishëm i Republikës së Kosovës dhe se misioni i tyre gjatë dhe pas luftës ka luajtur një rol historik për Kosovën.

Në frymën e bashkëpunimit gjatë takimit u bisedua hapur për thellim të raporteve diplomatike të dy vendeve.

Edhe pse ende Sllovakia nuk e ka njohur Pavarësinë e Kosovës, shefi i diplomacisë ka shprehur gatishmëri dhe ka mirëpritur hapjen e zyrës së Kosovës në Bratislavë, krejt kjo në frymën drejt forcimit të marrëdhënieve mes dy shteteve, njofton MPJ.