Pal Lekaj: LDK-AAK-Nisma, do ta menaxhonte më mirë situatën e pandemisë

Ish-ministri i Infrastrukturës dhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Pal Lekaj ka thënë se situatën aktuale të pandemisë së shkaktuar nga sëmundja COVID-19, një koalicion i mundshëm ndërmjet Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Nismës Socialdemokrate dhe minoriteve, do ta menaxhonte më mirë sesa qeveria aktuale.

pal Lekaj ka thënë se nuk e ka menduar se do të marr ndonjë përgjegjësi ministrore, ndërsa deklaroi se nuk do ta kushtëzojnë LDK-në me poste ministrore për arritjen e një koalicioni.

Ai tha se partia e Ramush Haradinajt e përkrah lidhjen e një koalicioni me partinë e Isa Mustafës e Fatmir Limajt.

“Po, ne si Aleancë për Ardhmërinë e Kosovës do ta përkrahim koalicionin e tillë, në mes LDK-së, AAK-së, Nismës dhe minoriteteve meqë ne jemi në një situatë jo fortë të favorshme për menaxhimin e krizës dhe çështjeve të tjera. Pasi që të shtjerrën të gjitha procedurat nga Presidenti, procedurat kushtetuese, tani e ka radhën LDK-ja që ne e kemi shpreh gatishmërinë që të hyjmë në koalicion”, thotë ish-ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj.

Dje, i pari i LDK-së, Isa Mustafa njoftoi se delegatët e partisë u pajtuan me shumicë votash që të lidhin një koalicion të mundshëm me AAK-në NIsmën dhe minoritetet.

Lekaj ka kritikuar edhe vendimet e fundit që Ministria e Shëndetësisë mori në kufizimet e qarkullimit të qytetarëve.

“Po unë mendoj që gjithsesi po, e bazoj këtë në jo partneritetin të mirë apo jo të qëndrueshëm në mes LDK-së dhe Vetëvendosjes. Atu ku nuk ka partneritet dhe nuk ka sinqeritet, atu nuk ka as rezultate. Ne mendojmë që nëse LDK-ja e merr përgjegjësinë, bashkë me AAK-në dhe Nismën, mendoj që do të menaxhohet shumë më mirë. Ju po i shihni pasojat, po keqpërdoret situata dhe pothuajse ne jemi në komunizëm edhe vendimet dhe shkelja e aktgjykimit të Kushtetutës është një vendim jodemokratik dhe kjo nuk shkon në favor të qytetarëve”, deklaroi deputeti Lekaj.

Ai ka thënë se kontributin për menaxhimin e situatës aktuale të pandemisë do ta jap nga pozita e ligjvënësit ndërsa thotë se nuk e ka menduar të merr përgjegjësi ministrore.

Sipas Lekajt, detajet për ndarjen e pushtetit ndërmjet LDK-së, Nismës dhe minoriteteve ende nuk janë diskutuar, por AAK nuk do të bëj kushtëzime për lidhjen e koalicionit.

“Unë as që kam mëndu dhe as që mendoj që do të kem ndonjë përgjegjësi në këtë qeveri, por do ta jap kontributin tim si deputet dhe mendoj që e them, duhet që sa më parë krijohet qeveria e re”, tha ai.

“Nuk kemi biseduar në atë drejtim, ne kemi thënë se nuk kushtëzojmë sepse jemi të ndishëm ndaj situatës dhe as që mendojmë ta kushtëzojmë LDK-në sa i përket pozitave ministrore. Gjithsesi edhe kryeministri do t’i takoj LDK-së”, deklaroi Pal Lekaj.

Qeveria të cilës i prin Albin Kurti u rrëzua më 25 mars me një mocion të mosbesimit nga LDK, partneri i koalicionit qeverisës.

Presidenti, Hashim Thaçi ka nis përpjekjet për formimin e ekzekutivit të ri kosovar por, partia e parë e zgjedhjeve të 6 tetorit ende nuk ka dërguar një emër të ri për shef qeverie./Kallxo.com/.