Pallaska:Thaçi e Kurti po e rrezikojnë aleancën me SHBA-të

Analisti Dastid Pallaska ka thënë se Hashim Thaçi dhe Albin Kurti në betejen e tyre personale për pushtet po e rrezikojnë aleancën me SHBA-të,e për këtë thotë se intervista e fundit e Richarf Grenell-it paraqet qortim publik të politikanëve të papërgjegjshëm të vendit siç i quan Pallaska, presidentin Thaçi dhe kryeministrin në detyrë Albin Kurti.

Përmes një postimi në Facebook Pallaske thotë se Hashim Thaçi ka keqpërdorur emrin e SHBA-ve për të avansuar brenda vendit idetë e tijë shkatërruese për shkëmbim territoresh me Serbinë, duke thënë se këto ide i ka kuptuar edhe Qeveria Amerikane.

Ndërsa pë Albin Kurtin thotë se  ai e ka gënjyer Amerikën në lidhje me tarifën, dhe po e rrezikon edhe aleancën strategjike të Kosovës  me Amerikën./lajme365.com

Postimi i plotë i Dastid Pallaskës:

Intervista e Richard Grenell paraqet qortim publik të politikanëve më të papërgjegjshëm të vendit, Hashim Thaçit dhe Albin Kurtit, të cilët me betejën e tyre personale për pushtet po e rrezikojnë edhe aleancën tonë strategjike me ShBA-të.

Për Hashim Thaçin sepse duket që tanimë edhe Qeveria Amerikane e ka kuptuar që Presidenti ka keqpërdorur emrin e ShBA-ve për të avansuar brenda vendit idetë e tij shkatërruese për shkëmbim territoresh me Serbinë.

Për Albin Kurtin i cili qartazi duket se e ka gënjyer Qeverinë Amerikane në lidhje me tarifën dhe që po rrezikon edhe aleancën strategjike të Kosovës me Amerikën – e edhe ndjenjat pro-amerikane të popullit tonë – vetëm për të qeruar hesapet e tij personale me Hashim Thaçin.

Intervista është shenjë e mos-besimit të thellë të ShBA-ve ndaj këtyre dy politikanëve të llojit të njëjtë dhe përpjekje për të komunikuar drejtpërdrejtë me qytetarët e vendit, duke iu mundësuar atyre që me mjete demokratike të shpëtojnë aleancën strategjike të vendit tonë me Amerikën nga këta dy politikanë të papërgjegjshëm.

Është fare e qartë se Amerika nuk dëshiron të punojë me politikanë që preokupim kryesor kanë fuqizimin e pushtetit personal, siç janë Thaçi dhe Kurti.

Sonte u pa që Qeveria Amerikane dëshiron të ketë si partnerë politikanë të guximshëm që – duke marrë përgjegjësitë që ju takojnë – me tërë qenien e tyre punojnë që Kosovës t’i sigurojnë marrëveshjen më të mirë të mundshme me Serbinë dhe qe nuk mendojnë se kujt do t’ia hedhin fajin për një marrëveshje të keqe vetëm për të fituar një votë më tepër.