Paralajmërohet koalicioni LVV – LDK

Gjatë ditës së sotme do të bëhet e qartë nëse LVV-ja dhe LDK-ja do t’i harmonizojnë qëndrimet e tyre për të bashkëpunuar në qeverisjen e ardhshme. Pas takimit të sotëm mes dy palëve do të mësohet nëse do të ketë marrëveshje paszgjedhore LVV – LDK.

Ndonëse ende nuk janë publikuar rezultatet finale për zgjedhjet e 6 tetorit, LVV-ja dhe LDK-ja kanë paralajmëruar arritjen e një koalicioni paszgjedhor për ditët në vijim. Gjatë ditës së djeshme Vjosa Osmani, kandidate për kryeministre nga LDK-ja (partia e dytë e dalë nga zgjedhjet), ka thënë se nuk ka alternativë tjetër, përpos arritjes së koalicionit me LVV-në.

Ndërkohë Albin Kurti, kandidat për kryeministër nga LVV-ja (parti fituese e zgjedhjeve), tashmë ka bërë të ditur se gjatë ditës së sotme do ta zhvillojë një takim me zyrtarët e lartë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, shkruan sot Gazeta Zëri.