Parisi sjell në Prizren manifestimin kulturor “ Nuit Blanche”

Të premtën, është nënshkruar marrëveshja tri palëshe e bashkëpunimit në mes të Komunës së Prizrenit, asaj Metropolitane të Parisit dhe Aleancës Franceze në Prishtinë, për organizimin e manifestimit kulturor “Nuit Blanche 2019″ (Nata e bardhë) në qytetin e Prizrenit. Marrëveshja është nënshkruar  nga kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka, nënkryetari i Komunës së Parisit, Christophe Girard, dhe drejtoresha e Aleancës Franceze në Prishtinë, Anne-Sophie Veyrier. Kryetari Haskuka, tha se një organizim i tillë e pasuron jetën kulturore  në Prizren dhe e promovon atë në botë, duke falënderuar nënkryetarin Girard dhe Aleancën Franceze në Prishtinë për mbështetje të këtij manifestimi i cili do të mbahet natën e 31 Gushtit. Nënkryetari i Parisit, Christophe Girard, ndërkaq njoftoi se ky aktivitet iniciator i të cilit është vet ai, mbahet në 30 qytete të ndryshme të botës, ndërsa ne dëshirojmë që Prizrenin ta bëjmë një vend të rëndësishëm kulturor, pasi që e kemi përzgjedhur si qytetin e vetëm në Ballkan për organizimin e “ Natës së Bardhë”. “Siç e dini, Parisi është kryeqyteti kulturor i botës, i cili ka një agjendë të fuqishme kulturore. Ballkani është një regjion evropian i cili gëzon simpati tek ne francëzët. Jam këtu në cilësinë e nënkryetarit të Parisit, dhe dëshirojmë që Prizrenin, në bashkëpunim me autoritetet e komunës suaj ta bëjmë një vend të njohur kulturor evropian. “ Nata e bardhë”, është një projekt i cili funksionon nga viti 2001 dhe mbahet në 30 qytete të ndryshme të botës si Kjoto e Japonisë, Brukseli në Belgjikë, Brajtoni në Angli etj, ndërsa qyteti i Prizrenit është i vetmi në Ballkan, në të cilin do të mbahet një ngjarje e tillë kulturore me karakter ndërkombëtar”, theksoi ai. Kryetari Haskuka, tha se në këtë manifestim pritet të marrin pjesë artistë të ndryshëm, të cilët do të mblidhen në një ambient të hapur mbrëmjen e ditës së fundit të muajit Gusht. Në këtë ngjarje, gazetarët propozuan që pjesë e këtij manifestimi të jetë edhe shkrimtari shqiptar me përmasa botërore, Ismail Kadare, e nënkryetari i Parisit, Girard, tha se do të angazhohet për një gjë të tillë.