Partitë bojkotojnë luftën e Veselit kundër korrupsionit

Paktin Kundër Korrupsionit, të cilin e ka propozuar dje kreu i PDK-së Kadri Veseli, nuk e ka përkrahur asnjëra prej subjekteve politike në vend. Shumica prej tyre e kanë marrë joseriozisht këtë iniciativë, të cilën e kanë quajtur edhe farsë, shkruan gazeta “Zëri”.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, gjatë ditës së djeshme përmes një konference për medie ka prezantuar Paktin 10 pikësh Kundër Korrupsionit, përmes të cilit u ka bërë thirrje të gjithë liderëve të partive politike të Kosovës ta nënshkruajnë atë. Ai ka deklaruar se këtë dokument do t’ia dërgojë zyrtarisht secilit kryetar partie politike që garon në këto zgjedhje për ta nënshkruar, në mënyrë që lufta kundër korrupsionit dhe nepotizmit të mos mbetet vetëm në letër, por të kthehet në vepra.

“Unë i kam dëgjuar të gjithë liderët politikë në Kosovë që flasin se duhet luftuar korrupsionin, por pa ndërmarrë një veprim. Unë po propozoj një hap konkret të prekshëm. Boll me fjalë, qytetarët duan vepra. Kjo është arsyeja pse unë prezantoj Paktin Kundër Korrupsionit, dhjetë pika për të cilat të gjithë liderët e partive mund dhe duhet të bien dakord, në mënyrë që të rinovojë besimin e publikut te politikanët, në mënyrë që të luftojmë me të vërtetë korrupsionin”, ka thënë Veseli.

Mirëpo ende pa e pranuar këtë dokument, subjektet politike kanë dalë kundër tij. Pothuasje të gjitha partitë janë shprehur se nuk do të votojnë asnjë marrëveshje kundër korrupsionit që vjen nga Partia Demokratike e Kosovës. /Zëri/