Partitë po presin Thaçin, Presidenti luan me qentë e Sharrit

Endriti, djali i Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, në profilin e tij në Instagram ka postuar një foto interesante të babait të tij.

Në këtë foto, Thaçi shihet i rrethuar nga dy qenë të Sharrit. Kohë më parë, një qen i vogël i sharrit u bë atraksion në internet, meqë refuzoi t’i afrohej presidentit serb Vucic dhe atij të Rusisë, Putin. Derisa në foton e postuar nga djali i presidentit, ata duken shumë të relaksuar.

Mirëpo, Endriti kësaj foto nuk i ka bashkangjitur asnjë tekst apo analogji të tillë, duke e lënë enigmë mesazhin.

Presidenti Thaçi është një adhurues i bjeshkëve dhe shumë aktiv në hiking.

Një javë nga dorëheqja e kryeministrit të Kosovës gjërat ende nuk kanë lëvizur drejt zgjidhjes së situatës së krijuar, ndërsa institucionet e vendit po vazhdojnë me punë sikur të mos kishte ndodhur asgjë.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pas një javë heshtjeje politike, të enjten bëri të ditur se tek javën tjetër do të nisë konsultimet me partitë politike. Kështu së paku thuhet në një komunikatë të lëshuar nga Zyra e tij.

Kështu, presidenti vazhdon të injorojë thirrjet që sa më parë të shpallë zgjedhjet, duke konfirmuar tërthorazi zërat që pohojnë se intenca është që të gjendet mënyrë për krijimin e një qeverie të re, pa e çuar vendin në zgjedhje të parakohshme.