Partitë politike ende nuk janë ftuar nga Presidenti Thaçi për konsultë

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ende nuk u ka dërguar ftesa kryetarëve të partive politike për tu konsultuar me ta dhe për t’i marrë sugjerimet dhe këshillat e tyre se cilën rrugë duhet ndjekur, duke u bazuar në Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës, pas rrëzimit të qeverisë javën e kaluar.

Përfaqësues të disa prej subjekteve politike kanë thënë se deri tani Thaçi nuk u ka dërguar ndonjë letër për konsultime.

Ndryshe sot Thaçi ka takuar ambasadorët e Kuintit dhe atë të BE-së në Prishtinë, për t’i informuar për hapat që do t’i ndërmarrë pas shkarkimit të Qeverisë Kurti.

Në këtë takim ishin Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Ambasadori i Britanisë së Madhe, Ambasadori i Gjermanisë, Ambasadorja e Francës, Ambasadori i Italisë dhe Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë.

President i Republikës së Kosovës ka thënë se do të vendosë për opsionin më të mirë për të dalë nga situata në të cilën jemi futur.