Partitë politike marrin ftesë për ta shfuqizuar Gjykatën Speciale

Partia Socialdemokrate po kërkon bashkim të partive politike parlamentare dhe shfuqizim të Gjykatës Speciale.

Meqë veçse ka pajtim se ajo është e dëmshme, atëherë përse të mos shfuqizohet, thuhet në njoftimin e PSD-së për media.

Sipas partisë së Dardan Molliqajt, kushdo që e ka votuar Specialen e ka dëmtuar rëndë interesin e shtetit. Ata shtojnë se “edhe ata që “teksa fërkojnë duart, fshihen pas atij votimi duke iu gëzuar eliminimit të rivalëve politik”, nuk janë ma pak të dëmshëm.

“Gjykata Speciale është votuar në vitin 2015. Kushdo që e ka votuar atëherë ka dëmtuar rëndë interesin e Kosovës. Por, nuk janë më pak të dëmshëm ata që teksa fërkojnë duart, fshehen pas atij votimi duke iu gëzuar eliminimit të rivalëve politik sot. Nëse kemi aq shumë pajtim mbi dëmin që shkakton kjo Gjykatë, s’ka asnjë arsye pse të mos i mbledhim forcat për ta shfuqizuar këtë trup të huaj. Kosova vet duhet të vendosë drejtësi. Për të gjithë dhe secilin”, thonë PSD-ja.

Ndërkohë, për situatën e krijuar me dorëzimin e aktakuzës, u dridh edhe skena politike. Për këtë çështje ka ardhur sot në Kosovë edhe kryeministri shqiptar, Edi Rama, i cili po zhvillon takime me krerë partish.

Ndryshe, javën që shkoi Zyra e Prokurorit të Specializuar njoftoi se ka ngritur aktakuzë ndaj presidentit Hashim Thaçi, kryetarit të PDK-së, Kadri Veselit dhe 8 të tjerëve. Aktakuza u dorëzua më 24 prill, ndërkohë që nuk është konfirmuar akoma.

Prokurroia Speciale kishte thënë se njoftimi për dorëzimin e aktakuzës vjen për shkak të tentimit të sabotimit të punës së Zyreve të Prokurorisë Speciale nga Thaçi e Veseli.