Pas certifikimit Qeverinë mund ta vonojë harmonizimi i programeve mes dy partive

Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës pas takimit që zhvilloi ditën e premte mori vendim t’i pezullojë negociatat me Lëvizjen Vetëvendosje deri në certifikim të rezultateve nga ana e KQZ-së.

Ndonëse të dyja partitë ishin dakorduar që qysh dje t’i fillonin takimet në mes të të dyja palëve për t’i harmonizuar programet, Kryesia e LDK-së bëri të ditur se numërimi i të gjitha votave mund të sjellë ndryshime në rezultat dhe parimisht kjo do t’i japë kahe tjetër negociatave, shkruan Gazeta “Zëri”.

Në anën tjetër Albin Kurti është deklaruar se nuk beson që do të ketë ndryshim të rezultateve, ndonëse ka pranuar se fjala e fundit i takon KQZ-së.

Ndërkaq njohësi i çështjeve politike Arton Demhasaj ka thënë se me gjithë presionin ndërkombëtar nuk mund të ketë vonesa në formimin e Qeverisë.

“Nuk mendoj se do të shkojë gjatë formimi i Qeverisë, pasi ka presione ndërkombëtare që sa më shpejt të përfundojë gjithçka, konstituimi i Kuvendit e gjëra të tilla. Por kjo varet nga certifikimi i rezultateve nga ana e KQZ-së”, ka thënë ai në një prononcim për gazetën “Zëri”.

Tutje Demhasaj ka thënë se vonesa mund të krijojë vetëm harmonizim të programeve të të dyja partive që mund të marrë kohë.

“Mendoj se më problematike do të jetë arritja e harmonizimit të programeve mes këtyre dy partive, sepse ka dallime në program të këtyre dy partive dhe mendoj se do të nxjerrë pak probleme derisa ta arrijnë një harmonizim për një program qeveritar”, ka thënë ai. /Zëri/