Pas gati 2 muajsh që kur vdiq në Novi Sad, shtetasi kosovar varroset në Gjakovë

Katërdhjetë e nëntë ditë pasi vdiq në Serbi, trupi i Imer Kerelajt është kthyer dhe varrosur në vendlindjen e tij në Gjakovë.

Shtetasi kosovar nga komuniteti egjiptian kishte vdekur më 17 korrik në spitalin Krahinor të Vojvodinës në Novi Sad, ku ishte duke u shëruar për disa ditë.

Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi i kishte thënë KTV-së javën e kaluar së në pamundësi për të gjetur familjarë të afërm të Kerelajt, trupi i tij është varrosur në varrezat e personave të panjohur në Novi Sad.

Por, personat që e kanë njohur Kerelajn dhe që janë angazhuar për kthimin e tij, kanë thënë se nuk është e vërtetë që trupi i Kerelajt është varrosur në Serbi.

Bashkëshorti i mbesës së Kerelajt thotë se trupin e 41-vjeçarit e kanë marrë mbrëmë nga Spitali i Novi Sadit dhe e kanë sjellë atë në Kosovë për ta varrosur.

Damjani ka deklaruar se të gjitha shpenzimet për bartjen e trupit i kanë mbuluar të afërmit e Kerelajt.

Në varrimin e Kerelajt ka marrë pjesë edhe ish-deputeti nga komuniteti egjiptian, Veton Berisha.

Ai thotë se sjellja e shtetit në raport me trupin e bashkëkombësit të tij dëshmon dobësi në funksionimin e institucioneve.

Kushërinjtë e Kerelajt kanë treguar që ai kishte shkuar në Serbi për të punuar.

Policia nuk kishte arritur të gjejë familjarë të afërt të Kerelajt në Gjakovë, derisa kushërinj të largët të tij janë identifikuar në fshatin Shtupel të Klinës.