Pas përjashtimit nga ENQA, universitetet publike ndihen viktimë e mospunës së KSHC-së dhe MASHT-it

Konferenca e Rektorëve të universiteteve publike është mbledhur sot për të shqyrtuar përjashtimin e Agjencisë Kosovare për Akreditim nga ENQA (Europian Association for Quality Assurance In Higher Education).

Në një komunikatë të përbashkët, të nënshkruar nga rektori i Universitetit Haxhi Zeka në Pejë, Fadil Millaku, në cilësinë e kryesuesit të kësaj konference, thuhet se rektorët e universiteteve publike shprehin shqetësim të madh, por nuk janë të befasuar me vendimin për përjashtimin e Agjencisë Kosovare për Akreditim nga ENQA.

“Përjashtimi i AKA-së nga ENQA është goditje për gjithë arsimin e lartë, sidomos për studentët. Dëmi është shumë i madh. Përjashtimi i AKA-së është pasojë e politikave të gabuara në arsim. KSHC-ja në vazhdimësi ka qenë e ndikuar prej politikës. Vendimi i ENQA-së është pasojë e degradimit të AKA-së dhe dobësimit të potencialit profesional në AKA, pasojë e tendencës për ta shndërruar arsimin e lartë në biznes dhe në vegël politike. Konsiderojmë se ENQA i ka dhënë kohë të mjaftuar KSHC-së që të stabilizohet por KSHC-ja ka dështuar në këtë aspekt”, është thënë në komunikatën për media të Konferencës së Rektorëve.

Sipas kësaj Konference, mungesa e komisionit të ankesave pranë KSHC-së është njëra prej arsyeve që ka ndikuar në vendimin e ENQA-së.

“IPAL-i nuk ka pasur mundësi që ankesat e tyre për mosakreditim të programeve të caktuara t’i adresojë pranë komisionit të ankesave, meqë ky komision nuk ishte funksional, pas dorëheqjes kolektive të anëtarëve të komisionit”, thuhet në reagim.

Konferenca e Rektorëve, e shqetësuar me veprimet e KSHC-së dhe Ministrisë së Arsimit, thotë se ka reaguar me kohe kundër politizimit të AKA-së, gjithashtu ka reaguar kundër dobësimit të AKA-së dhe vendimeve arbitrare të këtij institucioni.

“AKA-ja nuk ka luajtur rol bashkëpunues dhe konstruktiv me IPAL-in, ajo është sjellë me universitetet publike si gardian burgu, mirëpo edhe përkundër kundërshtive, universitetet e kanë përkrahur AKA-në dhe Raportin e Vetëvlerësimit të AAK-së për ENQA-në”, thuhet në letrën e Konferencës, teksa bëhet me dije se Konferenca e Rektorëve kërkon përgjegjësi dhe reflektim nga institucionet relevante.

“Konferenca e Rektorëve paralajmëron se, menjëherë pas zgjedhjeve të nivelit qendror, do ta mbajë edhe një mbledhje, për të kërkuar nga qeveria e ardhshme seriozitet dhe përkrahje të arsimit, e jo ndikim dhe ndërhyrje në IPAL”, thuhet krejt në fund të këtij reagimi. / Koha.net