Edhe Gjermania ndërton Ambasadën në Prishtinë

Ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt dhe Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, kanë nënshkruar sot kontratën për shfrytëzimin e një prone të paluajtshme në Prishtinë për ndërtimin e Ambasadës Gjermane në Kosovë.

“I gëzohem këtij hapi të parë të rëndësishëm për ndërtimin e objektit të ri të Ambasadës Gjermane dhe falënderoj Kryetarin e Komunës dhe Kuvendin Komunal të qytetit të Prishtinës si dhe Qeverinë e Kosovës për mbështetjen e vazhdueshme. Ndërtimi i objektit të ri të Ambasadës Gjermane në kryeqytetin e Kosovës në Prishtinë është një hap i ri veçanërisht domethënës në raportet tona bilaterale”, ka deklaruar me këtë rast Ambasadori Gjerman, Heldt.

Heldt më tej ka shtuar se “Objekti i ri do të jetë një vend për takime dhe shkëmbime të hapura, të cilin edhe nga aspekti mjedisor dëshirojmë ta ndërtojmë në përputhje me standardet më të larta. Objekti i ri i ambasadës duhet të jetë shembull për urbanizëm miqësor dhe të gjelbër.” 

Ndërtimi i objekti të ri të Ambasadës Gjermane do të planifikohet dhe kryhet gjatë viteve të ardhshme sipas standardeve më të larta gjermane dhe europiane.

Unterzeichnung neues Botschaftsgrundstück