Pato kërkon të kthehet në Milan: Unë e Ibrahimovic do ta formonim një dyshe madhështore

Sulmuesi brazilian Alexandre Pato ka thënë se ëndërron të kthehet në Milan dhe beson se ai dhe Zlatan Ibrahimovic do ta formonin një dyshe sulmuese madhështore.

31-vjeçari është pa klub që prej se u lirua nga Sao Paulo verën e kaluar dhe tani e pranon se ëndërron të kthehet në San Siro, transmeton Gazeta Express.

Pato i kaloi gjashtë sezone në Milan, nga viti 2007 deri në vitin 2013.

“Kam kujtime të mira, bëhet fjalë për 150 ndeshje, 63 gola, një titull në Serie A dhe një në Superkupën e Italisë”, tha Pato.

“Do të ishte ëndërr nëse do të kthehesha në Milan, të cilin e kam në zemër”, shtoi ai.

I pyetur nëse do të pranonte të ishte zëvendësues i Ibrahimovicit, Pato këmbënguli se do të mundë të luante bashkë me suedezin.

“Do të thosha po, nuk ka problem. Por sepse nuk do të isha zëvendësues i tij. Do të luaja, sepse dy ndeshje do të mjaftonin për ta bindur trajnerin. Mbase mund të luajmë së bashku. Do të ishim një dyshe madhështore”, nënvizoi ai. /Gazeta Express/