PDK dhunshëm pengon protestat e shoqërisë civile

Mbi 100 organizata të shoqërisë civile i janë bashkuar sot “Marshit të Refuzimit”, për të kundërshtuar Projektligjin për Financimin e Subjekteve Politike.

Marshi nisi nga sheshi “Skënderbeu”, dhe vazhdoi me ndalje në selitë e gjashtë partive më të mëdha parlamentare, por përfaqësuesit e shoqërisë civile u penguan në mënyrë të dhunshme nga punonjës të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), para selisë së kësaj partie në Prishtinë, përkundër faktit se për këtë marsh ishin të informuara të gjitha institucionet relevante, duke përfshirë edhe PDK-në.

Shoqëria civile, dënon dhunën e ushtruar ndaj pjesëtarëve të organizatave jo qeveritare dhe i bënë thirrje PDK-së, që si subjekti më i madh në koalicionin aktual qeverisës, të marrë barrën e përgjegjësisë që u takon dhe me veprimet e tyre të kontribuojnë në ndërtimin e shtetit, duke respektuar standardet e shoqërive demokratike dhe të drejtën elementare për bashkim qytetarë, shprehje të lirë dhe protesta të qeta.
Shoqëria civile kërkon qëndrim dhe masa të veprimit nga PDK-ja, për veprimet e dhunshme të stafit të saj.

Image may contain: 2 people, people standing and outdoor

Marshi kishte për qëllim kundërshtimin e miratimit të Projektligjit për Financimin e Subjekteve Politike, i cili është në kundërshtim me frymën kushtetuese, cenon standardet ndërkombëtare për financimin e partive politike, e në veçanti rekomandimet e Komisionit të Venedikut.

Përfaqësues të shoqërisë civile përmes mesazheve të qarta që i vendosën në selitë e partive politike, u rekomanduan atyre që ta refuzojnë këtë projektligj, i cili shpenzon taksat e qytetarëve pa llogaridhënie, bën pazare politike me paratë publike, fsheh emrat e donatorëve të partive, prejardhjen e mjeteve financiare dhe ulë tarifat e gjobave.