PDK e vetmuar! A e nxjerri Haradinaj jashtë lojes Veselin?

Dorëheqja e parevokueshme e kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj, nga pozita e kryeministrit të Kosovës ka zënë në befasi të madhe më së shumti PDK-në.

Kjo parti ishte pjesë e të gjithë qeverive prej vitit zgjedhjeve të vitit 2007 e deri më sot. Madje ishte partia kryesore pa të cilën nuk mund të formoheshin institucionet meqë dilte e para në zgjedhje.

Por sot nuk u bën të gjallë.

Një reagimi tejet sipërfaqësor bëri zëvendëskryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj.

Edhe numri një i PDK-së, Kadri Veseli, i cili nga distanca prej Washingtonit e thumbonte Haradinajn këtë javë, në një reagim shkroi se “koalicioni qeveritar u ndërtua për të marrë vendime të mëdha për Kosovën dhe për t’i mbrojtur vlerat e UÇK-së”.

“Të gjitha veprimet dhe vendimet tona do të jenë vetëm në shërbim të interesave më të mira të Kosovës dhe qytetarëve tanë, si dhe në përputhje të plotë me ligjet tona”, theksoi Veseli.

Partia që trumbetonte se është garantuese e stabilitetit politik në Kosovë, e çonte vendin në zgjedhje sa herë asaj i përshtatej për hesape politike dhe dobësonte partnerët ose rivalët e saj politikë duket se u amortizua nga dorëheqja e Haradinajt.

Mungesa e një qëndrimi të qartë politik lidhur me situatën e re të krijuar me gjasë mund të ndërlidhet me “shpresat” e kësaj partie që të tentohet të formohet një qeveri e re pa shkuar në zgjedhje.

Por, a është kjo e mundur? Vështirë e arritshme nëse vlerësohet situata në terren.

Të tri partitë opozitare në Kosovë, LDK-ja, VV-ja dhe PSD-ja, kanë kundërshtuar kategorikisht çfarëdo mundësie që të krijohet një qeveri e re pa zgjedhje. Ato kanë kundërshtuar edhe krijimin e ndonjë qeverie teknike.

Opsioni i vetëm për partitë opozitare është caktimi i datës së zgjedhjeve të reja parlamentare.

Edhe njëri nga partnerët e PDK-së në koalicionin qeveritar, kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka deklaruar se opsioni i vetëm pas dorëheqjes së shefit të Qeverisë janë zgjedhjet.

Duket se PDK-ja ka mbetur e vetmuar në mundësinë që të krijojë një qeveri të re pa shkuar vendi në zgjedhje. Edhe pse nga aspekti kushtetues kjo është e mundur, megjithatë disponimi i subjekteve politike tregon se kjo parti nuk është në ditët më të mira të saj.

Në fund, pritet të shihet se cilët do të jenë hapat që do t’i ndërmerr ditëve në vijim presidenti Hashim Thaçi, njeriu që gati për dy dekada udhëhoqi PDK-në si dhe cili do të jetë reagimi i kreut aktual të kësaj partie, Kadri Veseli.

Sidoqoftë, mund të thuhet se për herë të parë kjo parti ndihet e injoruar dhe anashkaluar pothuajse nga i tërë spektri politik në vend.